Privatësia
Sunavi punon me datën, orën dhe vendin ku ke lindur. Kjo është informacion i afërt, ndaj këtu shkruhet qartë çfarë mbahet, pse mbahet dhe si e heq kur të duash.
E përditësuar më 4 tetor 2026.
Kush e mban
Sunavi drejtohet nga Esmeralda Petrela, Tiranë, Shqipëri. Për çdo pyetje mbi të dhënat e tua, shkruaj te sunavi@sunavi.app.
Çfarë mbahet
Llogaria. Adresa e email-it dhe fjalëkalimi. Fjalëkalimi ruhet i koduar nga shërbimi i llogarive dhe nuk shihet kurrë nga ne.
Të dhënat e lindjes. Data, ora dhe vendi. Pa këto nuk ka llogaritje, ndaj janë e vetmja gjë vërtet e domosdoshme.
Ajo që tregon për veten. Emri, gjinia dhe forma gramatikore që zgjedh, orientimi, statusi i lidhjes, fëmijët, puna dhe vendi ku jeton tani. Vetëm emri kërkohet. Gjithçka tjetër mund të mbetet bosh dhe ka gjithmonë mundësinë Preferoj të mos e them.
Ajo që shkruan. Shënimet dhe kujtimet që ruan brenda aplikacionit.
Pagesa. Nëse abonohesh, pagesën e kryen Stripe. Numri i kartës nuk kalon kurrë nga Sunavi dhe nuk ruhet këtu. Ruhet vetëm një referencë e abonimit dhe gjendja e tij: aktiv, i anuluar, i papaguar.
Çfarë nuk bëhet
Nuk ka Google Analytics, nuk ka Facebook Pixel, nuk ka asnjë gjurmues dhe asnjë cookie reklamimi. Sunavi nuk të ndjek nëpër internet dhe nuk të profilizon për reklama.
Të dhënat e tua nuk shiten dhe nuk jepen me qira. Askujt.
Orientimi dhe gjinia
Ligji europian i quan të dhëna të një kategorie të veçantë, dhe me të drejtë. Prandaj:
- Janë krejt vullnetare. Mund të mos i japësh dhe aplikacioni punon njësoj.
- Përdoren për një gjë të vetme: që leximi i dashurisë të mos supozojë se çdo grua pret një burrë. Pa këtë përgjigje, Sunavi nuk supozon asgjë dhe i shqyrton të dyja mundësitë.
- Gjinia përdoret edhe për mbaresat e shqipes, që teksti të të flasë ashtu si dëshiron.
- Mund t'i fshish në çdo çast te Profili i jetës, pa fshirë llogarinë.
Të dhënat e fëmijëve
Nëse shton datëlindjen e një fëmije, po ruan të dhëna për një person tjetër. Shtoji vetëm nëse ke të drejtë ta bësh, si prind ose kujdestar. Fshihen bashkë me pjesën tjetër kur i heq.
Kush tjetër i prek
Sunavi mbështetet te disa shërbime që punojnë vetëm sipas udhëzimeve tona:
- Supabase mban llogaritë dhe bazën e të dhënave.
- Render është motori që bën llogaritjet astronomike.
- Netlify shërben faqet.
- Stripe kryen pagesat dhe mban të dhënat e kartës, jo ne.
- Resend dërgon email-et e llogarisë, si konfirmimi ose rivendosja e fjalëkalimit, dhe dy letra për ditët falas: një para se të mbarojnë dhe një pasi kanë mbaruar. Secila prej tyre ka një lidhje që i ndal.
- Anthropic jep inteligjencën artificiale që shkruan leximet e Sunavi-t dhe, nëse i përdor, leximet e Ditarit tënd të Hënës. Për një lexim merr faktet e hartës që llogarit motori; për Ditarin e Hënës merr edhe atë që ke shkruar në atë cikël. Për një lexim të marrëdhënies merr edhe datën, orën dhe vendin e lindjes së personit tjetër, kurrë emrin. Emri dhe email-i yt nuk i dërgohen kurrë.
- Apple, Google ose Mozilla dërgojnë njoftimet në telefon, vetëm nëse i ndez. Telefoni yt i jep Sunavi-t një adresë njoftimesh nga shërbimi i vet; ne e mbajmë në llogarinë tënde dhe e përdorim vetëm për Hënën e Re, Hënën e Plotë dhe Ditët e Sakta. Shënimi është i shkurtër dhe nuk përmban kurrë hartën tënde. Kur i fik njoftimet, adresa fshihet.
- LocationIQ, Photon dhe OpenStreetMap kthejnë koordinatat e një vendi. Atyre u shkon vetëm emri i vendit, kurrë emri yt dhe kurrë data e lindjes.
Disa prej tyre ndodhen jashtë Shqipërisë dhe jashtë Bashkimit Europian. Transferimi mbulohet nga masat e tyre standarde të mbrojtjes.
Pse mbahen
- Për të përmbushur shërbimin që ke kërkuar: të dhënat e lindjes, llogaria, abonimi.
- Me pëlqimin tënd: orientimi dhe mënyra si e përshkruan gjininë.
- Për të mbajtur shërbimin në këmbë dhe të sigurt.
- Për detyrime ligjore mbi të dhënat e pagesave.
Sa gjatë
Derisa ta duash ti. Llogaria dhe gjithçka brenda saj rrinë deri sa ta fshish. Të dhënat e pagesave i mban Stripe aq sa e kërkon ligji tregtar dhe tatimor, edhe pasi llogaria të mos jetë më.
Si e fshin
Te menuja e llogarisë ke Fshi llogarinë time. Ajo anulon abonimin nëse ke një të tillë, heq çdo rresht që të përket dhe në fund heq vetë hyrjen. Nuk ka kthim mbrapa dhe nuk ka nevojë të pyesësh njeri.
Nëse diçka nuk punon, shkruaj te sunavi@sunavi.app dhe bëhet me dorë.
Të drejtat e tua
Mund të kërkosh të shohësh çfarë mbahet për ty, ta ndreqësh, ta marrësh në një skedar, ta fshish, ose të tërheqësh pëlqimin që ke dhënë. Për të gjitha, një email te sunavi@sunavi.app mjafton. Nëse jeton në Bashkimin Europian dhe mendon se diçka nuk shkon, ke të drejtë të ankohesh te autoriteti i mbrojtjes së të dhënave në vendin tënd.
Çfarë ruhet në shfletuesin tënd
Sunavi ruan në pajisjen tënde profilin, hartën e fundit të llogaritur dhe leximet që ke hapur së fundmi, që faqet të hapen menjëherë dhe të mos i shkruash të dhënat sërish në çdo vizitë. Nuk dalin kurrë nga pajisja. Fshihen kur del nga llogaria, kur fshin llogarinë, ose kur pastron të dhënat e faqes, dhe pastrohen vetvetiu çdo ditë. Nuk janë cookie gjurmimi.
Ndryshimet
Nëse kjo faqe ndryshon, ndryshon edhe data lart. Për ndryshime që prekin vërtet të dhënat e tua, njoftohesh me email.